Furkan Abdula
30 Janar 2023•Përditësim: 31 Janar 2023
Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot dhe nesër ndodhet për një vizitë pune në Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani në Bruksel do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Josep Borrell, si dhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana.
“Përveç prezantimit të programit të OSBE-së, në takimet në Bashkimin Evropian do të shkëmbehen mendime për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me OSBE-në, në radhë të parë me Komisionin Evropian dhe institucionet e BE-së, me fokus të veçantë në rolin dhe punën e misioneve në terren të Organizatës në rajonin më të gjerë të Evropës Juglindore”, thuhet në deklaratë.
Në kuadër të vizitës në NATO, Osmani do të marrë pjesë në një seancë të posaçme tematike të Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC) të NATO-s, ku do të shkëmbehen mendime për sfidat aktuale të sigurisë dhe rolin e OSBE-së në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së kontinentit.
Përveç Borrell-it dhe Geoana-s, Osmani do të ketë takime të veçanta edhe me të dërguarin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor – Miroslav Lajçak, si dhe me komisionerin evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç.