Şenhan Bolelli
22 Tetor 2020•Përditësim: 23 Tetor 2020
Deputetët spanjollë kanë refuzuar mocionin e paraqitur nga partia e ekstremit të djathtë Vox për ta rrëzuar qeverinë e koalicionit të majtë të pakicës, e cila ka qenë në pushtet në Spanjë që nga janari, raporton Anadolu Agency (AA).
Në votimin e zhvilluar pas seancës dyditore në parlament, vetëm deputetët e partisë Vox, e cila ka 52 vende, votuan "pro", ndërsa 298 deputetë nga partitë e tjera votuan “kundër”.
Partia Vox, e cila ndjek politikë populiste kundër migrantëve dhe Islamit, në mocionin e paraqitur akuzoi qeverinë për "zvarritjen e vendit në mjerim duke mos marrë masa të nevojshme gjatë pandemisë COVID-19 dhe duke shkaktuar më shumë vdekje, si dhe bashkëpunim me partitë politike separatiste në Katalonjë dhe Baski, duke cenuar unitetin kombëtar të Spanjës”.
Në ndërkohë, mocioni ka zënë vendin më të madh në agjendën e vendit në dy ditët e fundit, përkundër faktit se vendi po përballet me vrull të madh të koronavirusit të ri (COVID-19).
Qeveria e koalicionit të majtë, e cila akuzon partinë Vox për "ndjekjen e një politike urrejtjeje, kundër demokracisë dhe të drejtave të njeriut", komentohet se është forcuar tutje nga mocioni i refuzuar.
Teksa mocioni për të rrëzuar qeverinë u soll në parlament për herë të pestë në historinë e demokracisë spanjolle, sipas ligjeve, një mocion i ri i ngjashëm nuk është e mundur të paraqitet deri në shkurt.