Michael Hernandez
15 Dhjetor 2018•Përditësim: 16 Dhjetor 2018
WASHINGTON (AA) - Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kërkoi nga Kina të lirojë dy shtetasit kanadezë të ndaluar këtë javë, duke e quajtur veprimin e autoriteteve kineze "të papranueshëm", raporton Anadolu Agency (AA).
"Ata duhet të kthehen", tha Pompeo në një prononcim për gazetarët pas takimit me diplomatët e lartë amerikanë dhe kanadezë, një takim ku morrën pjesë edhe zyrtarë ushtarakë.
"Ne u kërkojmë shteteve të botës të trajtojnë mirë qytetarët tjerë, dhe nga këtu ndalimi i këtyre dy qytetarëve kanadezë në Kinë duhet të përfundojë", shtoi Pompeo.
Qeveria kineze paralajmëroi të enjten se nëse shefja financiare e Huaweit, Meng Wanzhou, që po përballet me një ekstradim të mundshëm në SHBA me dyshimin se nuk ka respektuar sanksionet kundër Iranit, do të dërgohet atje, do të vijojë një "hakmarrje" kundër Kanadasë.
Lidhur me arrestimin e kanadezëve, Pekini zyrtar tha se arsyeja e ndalimit të tyre është "angazhimi në aktivitete që rrezikojnë sigurinë kombëtare".
Në një video të publikuar më herët, kreu i të përditshmes shtetërore “Global Times”, tha se kjo është vetëm fillimi i hakmarrjeve.
"Nëse Kanadaja ekstradon Meng-un në SHBA, hakmarrja e Kinës do të jetë shumë më e keqe sesa arrestimi i kanadezëve", tha Hu Xijin në videon në fjalë.
Meng, e cila dyshohet se ka përdrë një kompani fiktive për të anashkaluar sanksionet e SHBA-ve ndaj Iranit, u lirua të premten nga një gjykatë kanadeze me kaucion prej 7.5 milionë dollarësh, një veprim të cilin kinezët e quajtën "hap në drejtimin e duhur".
Pekini njoftoi se ka arrestuar sipërmarrësin kanadez Michael Spavor, i cili kishte organizuar më herët vizitat e Dennis Rodmanit në Korenë e Veriut dhe kanadezin Michael Kovrig, raportues në Grupin Ndërkombëtar të Krizave për tema shumë të ndjeshme.