Stipe Majic
02 Tetor 2020•Përditësim: 02 Tetor 2020
Gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Mike Pompeo sot në Kroaci, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç dhe ministrat do të diskutojnë me të heqjen e vizave për shtetasit kroatë dhe heqjen e taksës së dyfishtë, blerjen e mundshme të avionëve luftarakë dhe tema të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Sekretari amerikan Pompeo po qëndron në Dubrovnik të Kroacisë ku është takuar me kryeministrin kroat, Plenkoviç dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grliç Radman.
Pas takimit të ministrit të Jashtëm dhe Sekretarit Pompeo në hyrje të qytetit të vjetër të Dubrovnikut do të organizohet një drekë pune në prani të ministrit kroat të Mbrojtjes, Mario Banozhiç dhe shefit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (SOA) Danijel Markiç.
Siç u bë e ditur më parë, temat kryesore të takimit do të jenë heqja e vizave për shtetasit kroatë për hyrje në SHBA duke patur parasysh se Kroacia është një nga anëtaret e pakta të Bashkimit Evropian, qytetarët e së cilës kanë nevojë për viza kur hyjnë në SHBA. Anëtaret e vetme të BE-së, shtetasit e të cilëve duhet të kenë vizë për në SHBA janë Rumania, Bullgaria dhe Qiproja greke.
Gjithashtu ata do të diskutojnë rreth furnizimit me një skuadrilje me 12 avionë luftarakë, duke patur parasysh se SHBA, së bashku me Suedinë, Izraelin dhe Francën morën pjesë në tender dhe i ofruan Kroacisë një skuadrilje të avionëve F-16 Block 70.
Poashtu një temë e rëndësishme do të jetë heqja e taksës së dyfishtë midis SHBA-ve dhe Kroacisë dhe parandalimi i evazionit fiskal në lidhje me taksat e të ardhurave.
Duke marrë parasysh bisedimet e mëhershme që Pompeo kishte me përfaqësuesit politikë të vendeve fqinje evropiane, pritet që një nga temat të jetë vendosja e rrjetit 5G, pra prania e kompanive kineze, kryesisht Huawei, në vendosjen e teknologjisë së re.
Ardhja e Pompeos është vizita e zyrtarit më të lartë amerikan në Kroaci gjatë administratës së Donald Trumpit