Ruslan Rehimov
04 Korrik 2023•Përditësim: 05 Korrik 2023
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se fuqitë e huaja po bëjnë një luftë hibride kundër Rusisë dhe po aplikojnë sanksione të paligjshme në një shkallë të paprecedentë, transmeton Anadolu.
Putin mbajti një fjalim përmes video-konferencës në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) të organizuar nga Indi.
Duke theksuar se SCO është ndërtuar mbi një bazë konstruktive, Putin tha se organizata luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke dhënë kontribut real për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, duke siguruar rritjen e qëndrueshme ekonomike të shteteve anëtare dhe forcimin e lidhjeve midis popujve.
Ai ka theksuar se kontradiktat gjeopolitike në botë janë intensifikuar, sistemi i sigurisë ndërkombëtare vazhdon të përkeqësohet dhe sipas tij janë rritur rreziqet e krizës globale ekonomike dhe financiare për shkak të akumulimit të pakontrolluar të borxhit në vendet e zhvilluara. "Është përkeqësuar shtresa sociale dhe varfëria, siguria ushqimore dhe mjedisore. Të gjitha këto probleme kanë çuar në një rritje të dukshme të potencialit për konflikt. Rusia e ndjen të gjithë këtë drejtpërdrejt në vetvete", tha Putin.
Duke shpjeguar se fuqitë e huaja kanë qenë duke zbatuar projektin e krijimit të një shteti "anti-rus" në vendin fqinj të Ukrainës për një kohë të gjatë, Putin tha: "E gjithë kjo bëhet për të rrezikuar sigurinë e Rusisë dhe për të parandaluar zhvillimin e saj. Një luftë hibride po zhvillohet kundër Rusisë. Kundër Rusisë po vendosen sanksione të paligjshme në një shkallë të paprecedentë. Rusia i reziston me besim dhe do t'i rezistojë presioneve, sanksioneve dhe provokimeve të jashtme".
Putin nënvizoi se Rusia vazhdon të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, se populli rus është i bashkuar si kurrë më parë dhe se qarqet politike dhe shoqëria janë të bashkuar kundër përpjekjes së rebelimit të grupit Wagner.
Duke falënderuar vendet e SCO për mbështetjen e tyre ndaj administratës ruse, Putin tha: "Ne synojmë të thellojmë më tej lidhjet tona me anëtarët e SCO. Tregtia e Rusisë me vendet anëtare të SCO u rrit me 37 për qind vitin e kaluar, duke arritur një rekord prej 263 miliardë dollarësh".