Mohamad Misto,Adham Kako
01 Gusht 2017•Përditësim: 01 Gusht 2017
HOMS (AA) - MUHAMMED MİSTO
Rrethimi ushtarak i Bashar al Asadit në veri të prefekturës së Homsit në pjesën qendrore të Sirisë ka goditur veprimtarinë e bujqve, të cilët si pasojë përballen me vështirësi.
Pjesa rurale në veri të Homsit, që mbahet e rrethuar nga regjimi i Asadit prej pesë vitesh, posedon toka të gjera bujqësore dhe frytdhënëse.
Megjithatë, për shkak të bllokimit të ujit nga kanalet e regjimit dhe ndërprerjes së rrymës elektrike deri në 24 orë në ditë, ka bërë që bujqit e Homsit të kenë vështirësi në ujitjen e tokave.
Vështirësisë së bujqve i është shtuar edhe fakti që reshjet në këtë vit nuk kanë qenë në nivelin e pritur.
Ahmet Hudur, zyrtar i Këshillit për Prodhimin e Farave në këtë rajon, për AA thotë se 80 deri në 85 për qind e tokave bujqësore mbështeten në rrjetin e ujitjes Hama-Homs.
"Shumica e tokave përpiqen të mbijetojnë nga reshjet, pasiqë nuk jepet ujë nga kanalet e ujitjes. Rendimentet këtë vit ishin të shumë të ulëta. Shumica e tokave bujqësore janë dëmtuar, pasi që reshjet janë në nivel më të ulët sesa që pritej", thotë Hudur.
Nga ana tjetër, bujku Osma Ejub theksoi se regjimi më herët ka tharë qëllimisht Pendën e Rastanit. "Për shkak të tharjes, kulturat në tokat afër pendës u thanë dhe u zhdukën", shtoi ai.
Si rezultat i vështirësive, bujqit tani i janë drejtuar burimeve nëntokësore të ujit, thotë Ejub, niveli i të cilave po ashtu është zvogëluar për shkak të nivelit të ulët të reshjeve dhe tharjes së burimeve ujore nga regjimi.
"Regjimi ka rol të madh në përkeqësimin e rendimenteve. Prej vitesh, regjimi nuk lejon hyrjen e plehrave dhe farave në rajon", thotë Ejub, i cili thotë se për shkak të bllokadës, janë rritur çmimet e barnave bujqësore dhe plehrave.