Beyza Binnur Dönmez
02 Qershor 2020•Përditësim: 03 Qershor 2020
Vdekje e afro-amerikanit George Floyd ishte pika shpërthyese në SHBA pasi dhuna e policisë vrau 7.666 jetë njerëzish në të kaluarën shumë të afërt, shumica prej të cilëve njerëz me ngjyrë, raporton Anadolu Agency (AA).
46-vjeçari George Floyd vdiq javën e kaluar në shtetin amerikan Minnesota pasi një oficer i policisë mbajti gjurin e tij mbi qafën e viktimës për pothuajse nëntë minuta. Fjalët e fundit të viktimës ishin "Nuk mund të marr frymë", që u bënë slogani i protestave mbarëkombëtare.

Sipas të dhënave të mbledhura nga faqja e internetit "Mapping Police Violence", (Hartimi i dhunës policore), e cila mbështetet në burimet e sigurisë, në vitet 2013-2019 niveli i vrasjes së njerëzve me ngjyrë nga policia ishte dy herë e gjysmë më i lartë se njerëzit e bardhë.
Përderisa 95 për qind e vrasjeve kanë ndodhur gjatë arrestimeve, Kalifornia, Texas dhe Florida janë shtetet me nivelet më të lartë të dhunës nga policia.
Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi
E themeluar në vitin 2013, organizata joqeveritare "Black Lives Matter" (Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi) çoi në demonstrata mbarëkombëtare për t'i dhënë fund brutalitetit të policisë.
Vdekja e afro-amerikanit Floyd ka ngjashmëri të madhe me atë të Eric Garner, i cili vdiq gjatë arrestimit të tij në vitin 2014 në New York, po ashtu në vazhdimësi duke iu lutur oficerëve "Nuk mund të marr frymë".
Fjalët "Nuk mund të marr frymë" u kthyen në një pikë tubimi për protestuesit që po demonstrojnë kundër vrasjeve të burrave dhe grave të paarmatosura nga policia. Kjo shprehje bëri jehonë edhe gati gjashtë vite më vonë.
Një muaj pas vrasjes së Garner-it, protesta mbarëkombëtare u mbajtën në qytetin Ferguson të shtetit Missouri, shkaku i vrasjes së 18-vjeçarit Michael Brown. Protestat u kthyen në të dhunshme, pasi u kryen plaçkitje dhe zjarrvënie, ndërsa disa qytete zbatuan orë policore.
Në gusht të vitit 2014, Ezell Ford u shënjestrua nga plumbat e policisë në Los Angeles, ndërsa më pas në nëntor të vitit 2014 vdiq Akai Gurley (28) në New York dhe Tamir Rice (12) në Cleveland.
Përderisa të gjitha këto ngjarje çuan në demonstrata individuale, në dhjetor të vitit 2014 mijëra u tubuan para një qendre të madhe tregtare në qytetin Bloomington të shtetit Minnesota, duke protestuar dhunën e SHBA-ve kundër qytetarët me ngjyrë të paarmatosur. Dhjetëra persona u arrestuan në këto protesta.
16 të shtëna me armë nga oficeri i policisë mbi një të dyshuar afro-amerikan
Më 20 tetor të vitit 2014, oficeri i policisë në Chicago, Jason Van Dyke, vrau adoleshentin Laquan McDonald, i cili mbante në dorë një thikë, duke shtënë 16 herë me armë zjarri nga një distancë prej rreth 3 metra.
Dyke, i arrestuar për vrasje të shkallës së parë, u lirua me kusht më 30 nëntor të vitit 2014. Incidenti çoi në protesta të cilat u nxehën edhe më vonë pasi policia lëshoi pamjet 400 ditë më vonë.
Protestat me sloganin "Thuaj emrin e saj"
Në maj të vitit 2015, lëvizja "Black Lives Matter" bëri thirrje për demonstrata me sloganin "Thuaj emrin e saj" në kujtim të grave dhe vajzave që vdiqën si rezultat i dhunës policore në vend dhe u organizuan protesta të mëdha në shumë qytete.
Në nëntor të po këtij viti u zhvilluan përleshje midis policisë dhe demonstruesve në protestat 18-ditore në Minneapolis, pasi 24-vjeçari Jamar Clark u qëllua dhe u vra nga policia. Disa protestues u përfshinë në veprime të tilla si plaçkitje dhe zjarrvënie të automjeteve.
Protestat kthehen në vitin 2016 me vrasjen në Charlotte
43-vjeçari Keith Lamont Scott u vra nga policia më 20 shtator të vitit 2016 në Charlotte. Pasi protestat u kthyen në të dhunshme, u shpall gjendje e jashtëzakonshme nga guvernatori i shtetit për të fituar kontroll mbi protestat.
Në muajin mars të vitit 2018, vrasja e Stephon Clark nga policia në oborrin e shtëpisë së gjyshes së tij në Sacramento të Kalifornisë çoi në protesta masive dhe vandalizëm.