Muhammed Temim Hocaoğlu
16 Maj 2019•Përditësim: 18 Maj 2019
Në SHBA është mbyllur një shkollë fillore për shkak se në të është gjetur prania e lëndëve radioaktive, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të BBC-së, një monitorim ajror ka përcaktuar praninë e uraniumit të pasuruar dhe neptunium-237 në shkollën fillore Zahn's Corner në fshatin Piketon në jug të Ohio-s.
Drejtuesit e shkollës lokale në Scioto County kanë njoftuar se shkolla me 300 nxënës dhe 25 punonjës do të jetë e mbyllur deri në përfundimin e procesit për të përcaktuar burimin, përmasat e lëndës kimike, normën e përhapjes dhe ndikimin e saj të mundshëm në shëndetin e komunitetit dhe në mjedis.
Pas përcaktimit të lëndës radioaktive në shkollë, vëmendja është përqendruar në fabrikën Portsmouth Gazit Diffusion Plant, e cila ka punuar nga viti 1954 deri në vitin 2001. Fabrika ka prodhuar uranium të pasuruar për Departamentin Amerikan të Energjisë dhe programin amerikan të armëve bërthamore.
Në faqen e internetit të Departamentit Amerikan të Energjisë thuhet se, "Pas Luftës së Ftohtë, pasurimi i uraniumit në klasifikimin e armëve është pezulluar dhe fabrikat e prodhimit i janë dhënë me qira sektorit privat. Operacionet e pasurimit në fabrikë u ndërprenë në vitin 2001".
Më tej thuhet se do të fillojnë punimet për pastrimin e rajonit nga lëndët radioaktive.
Disa media amerikane kanë raportuar se në pesë vitet e fundit 5 fëmijë që jetonin në rajon janë diagnostikuar me kancer ndërsa 3 prej tyre kanë vdekur.