Hakan Çopur
26 Janar 2019•Përditësim: 26 Janar 2019
WASHINGTON (AA) - Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, përshëndeti ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti i Greqisë, e cila zgjidh mosmarrëveshjen 28-vjeçare rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pompeo, në një deklaratë me shkrim tha se kanë përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti i Greqisë dhe tashmë rruga e shtetit i cili e ka ndryshuar emrin në "Republika e Maqedonisë së Veriut", për anëtarësim në NATO dhe BE është e hapur.
Dje, Parlamenti i Greqisë me mbështetjen e 153 deputetëve nga gjithsej 300 deputetë, miratoi marrëveshjen e arritur me Maqedoninë apo “Marrëveshja e Prespës”, e cila parashikon ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Pas ratifikimit të marrëveshjes edhe në Greqi, dy vendet përmbushën detyrimet drejt finalizimit të marrëveshjes, me çka Maqedonisë i hapet rruga për t'u bërë anëtarja e 30-të e NATO-s me emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Marrëveshja e Prespës u nënshkrua në qershor të vitit 2018 nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësim e Maqedonisë në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Kuvendi i Maqedonisë më 11 janar finalizoi Marrëveshjen e Prespës me ndryshimet kushtetuese.