Beyza Binnur Dönmez
05 Qershor 2020•Përditësim: 05 Qershor 2020
Dy oficerë të policisë në New York u pezulluan pa pagesë pas shfaqjes së një videoje që tregon se si përplasin një protestues të bardhë 75-vjeçar, bëri të ditur kryetari i qytetit Buffalo, transmeton Anadolu Agency (AA).
Byron Brown, të enjten vonë në Twitter u shpreh se ishte "i shqetësuar thellë" nga videoja dhe shtoi: "Pas disa ditëve të protestave paqësore dhe disa takimeve të mia me udhëheqjes të policisë dhe anëtarëve të komunitetit, ngjarja e sotme është dëshpëruese".
Brown tha se protestuesi është në gjendje të rëndë në një spital, por nuk zbuloi identitetin e protestuesit, apo policëve.
Incidenti ndodhi gjatë orës policore, vuri në dukje kryebashkiaku.
Në videon e postuar nga Radioja kombëtare WBFO mund të shihet një burrë i moshuar duke iu afruar një grupi oficerësh të policisë.
Një oficer policie shihet duke e shtyrë burrin e moshuar pas oficerëve të tjerë dhe duke bërtitur: "Lëviz! Shtyje atë përtej!", ndërsa burri i moshuar pengohet dhe bie prapa dhe brenda pak sekondash vërehet gjaku nën kokën e tij.
Shumë shtete federale në SHBA vendosën orë policore për të vënë nën kontroll situatën pasi disa protesta për vdekjen e George Floyd u kthyen në dhunë.
Floyd, 46-vjeç, ndërroi jetë javën e kaluar në shtetin e Minesotas kur një oficer policie vuri gjurin në qafën e tij për gati nëntë minuta.
Fjalët e tij të fundit ishin "Nuk mund të marr frymë", të cilat u bënë moto e protestave mbarëkombëtare.