Servet Günerigök
23 Qershor 2020•Përditësim: 23 Qershor 2020
Qyteti i SHBA-së, Seattle në shtetin Washington paralajmëroi dhënien fund të zonës së ashtuquajtur "Zona e Pushtuar e Capitol Hill" pas incidenteve të fundit të dhunshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për shtyp, kryetarja Jenny Durkan tha se gjatë ditës, nuk ka pasur incidente të mëdha, por "është shumë ndryshe natën", veçanërisht në netët e fundit.
"Ndikimet tubimeve dhe protestave, atmosfera e natës dhe dhuna kanë çuar në rrethana gjithnjë e më të vështira për bizneset dhe banorët tanë. Ndikimet janë rritur dhe siguria është ulur", theksoi ajo.
Vërejtjet e saj erdhën pas dy të shtënave në zonën e lirë pa polici, të cilat rezultuan me vrasjen e një 19-vjeçari të shtunën dhe plagosjen e një 17-vjeçari, i cili u qëllua në krah në buzë të zonës në lagjen Capitol Hill.
Kryebashkiakja tha se dhuna në zonë "minon dhe shpërqendron mesazhet për ndryshim", duke iu referuar kërkesave të protestuesve për t'i dhënë fund brutalitetit të policisë në vazhdën e vdekjes së George Floyd.
"Ndërsa ne besojmë se individë, organizata dhe të tjerë mund të vazhdojnë të mblidhen në Capitol Hill në mënyrë paqësore, trazirat e vazhdueshme, dhuna dhe ndikimet tek banorët dhe bizneset nuk janë vetëm në kundërshtim me mesazhin e drejtësisë dhe barazisë, ato nuk mund të vazhdojnë të ndodhin", shtoi ajo.
Padrejtësia raciale është sjellë përsëri në planë të parë në SHBA pas vdekjes së George Floyd, afro-amerikanit të pa armatosur dhe të prangosur, i cili vdiq pasi u shtri në tokë dhe në qafën e tij ia vendosi gjurin për gati nëntë minuta një efektiv i policisë së Minneapolis të Minesotas.
Vdekja e tij shkaktoi demonstrata masive në të gjithë vendin që kanë kërkuar dhënien fund të brutalitetit të policisë dhe një reformë të rëndësishme për zbatimin e ligjit në SHBA.