Ekip
05 Qershor 2019•Përditësim: 06 Qershor 2019
Disa vende përfshirë Palestinën, Iranin, Indonezinë, Malajzinë dhe vende tjera sot kanë shënuar ditën e parë të Fitër Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e Fitër Bajramit besimtarët kanë mbushur xhamitë ku kanë falur namazin e Bajramit.
Malajzi
Në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, besimtarët muslimanë i mbushën xhamitë me veshjet e tyre tradicionale.

Përveç vendasve në xhamitë ishin edhe muslimanë nga kombësi të ndryshme.
Indonezi
Edhe në shtetin me popullsinë më të madhe muslimane në botë në Indonezi sot u festua dita e parë e Fitër Bajramit.
Në xhamitë e kryeqytetit, Xhakartë, u morën masa intensive të sigurisë ndërsa disa rrugë u mbyllën përkohësisht për trafik gjatë faljes së namazit.

Presidenti i vendit, Joko Widodo pas namazit ua uroi qytetarëve Bajramin.
Bashkësia Islame e Indonezisë të hënën shpalli 5 qershorin si ditën e parë të Bajramit si rezultat i vëzhgimeve të hënës të bëra në 105 pika të vendit.
Kirgistan
Në Kirgistan, namazi i Fitër Bajramit u fal në rreth 3.000 xhami.

Namazi i falur në sheshin para kryeministrisë hasi edhe në interesim të madh të besimtarëve, ku ndër të tjerat ishin edhe krerë shtetërorë.
Kazakistan
Adresa e muslimanëve në Kazakistan ndër vendet tjera të shtetit ishte edhe Xhamia Qendrore Nur Astana në kryeqytetin Nur Sultan.
Kinë
Në xhaminë Dongsi, në kryeqytetin e Kinës, Pekin, mijëra muslimanë e falën namazin e Fitër Bajramit.

Në Kinë nga 56 grupe etnike 10 janë muslimane. Muslimanët Kinezë (Hui) si dhe ujgurët, kirgizët, kazakët, taxhikët, tatarët, uzbekët dhe pakicat tjera jetojnë kryesisht në veriperëndim të vendit.
Ndër vendet tjera që festuan sot ditën e parë të Fitër Bajramit janë edhe Uzbekistani, Azerbajxhani, Irani, Palestina, Egjipti, Jordania, Tunizia dhe vende tjera.