Kasım İleri
05 maj 2019•Përditësim: 06 maj 2019
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, uroi muslimanët në SHBA dhe gjithë botën me rastin e muajit të Ramazanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Bashkë me Melanian ua përcjellim urimet tona që ky muaj i shenjtë të jetë i bekuar për të gjithë muslimanët në SHBA dhe botë", thuhet në një deklaratë me shkrim të Trumpit për muajin e Ramazanit.
Ai rikujtoi se në Ramazan përkujtohet zbritja e Kuranit profetit Muhammed.
"Me shikimin e hënës, familjet dhe komunitetet muslimane nderojnë shpalljen me meditim të brendshëm njëmujor, ripërtritje shpirtërore dhe adhurim", potencoi Trump.
Trump më tej nënvizoi se muslimanët duke agjëruar, lexuar Kuran, ndihmuar nevojtarët dhe duke bërë vepra të mira përjetojnë një freskim në lidhje me qëllimin e udhëtimit të tyre shpirtëror, kështu që thellojnë falënderimin ndaj mëshirës së Zotit.
"Përgjatë këtij muaji, të gjithë ne kemi mundësinë për të menduar bekimet që na janë dhënë dhe të krijojmë miqësi më të mëdha mes nesh. Me frymën e Ramazanit, të gjithë ne mund të arrijmë në nivelin e një shoqërie më harmonike dhe të respektueshme", theksoi presidenti amerikan.
Trump ka qenë në shënjestër të kritikave që nga viti 2017 kur filloi detyrën si president, për zbatimin e ndalimit të hyrjes në SHBA për shtetasit e disa vendeve muslimane, përgatitjen e terrenit për rritjen e islamofobisë në SHBA dhe njohjen e Kudsit si kryeqytet i Izraelit.