Addis Getachew Tadesse,Tufan Aktaş
26 Shtator 2019•Përditësim: 26 Shtator 2019
Turqia ka dhuruar materiale shkollore në Etiopi për të mundësuar mbështetje për shkollimin e studentëve në shtetin e Afrikës Lindore, raporton Anadolu Agency (AA).
Donacioni u organizua bashkarisht nga Ambasada e Turqisë në Etiopi dhe kompania ndërtimore turke Yapi Merkezi, e cila po ndërton një linjë hekurudhore në Etiopi.
"Materialet do t'u shpërndahen 19.000 studentëve në kryeqytetin Addis Ababa", tha për AA, ambasadori i Turqisë në Etiopi, Yaprak Alp, gjatë ceremonisë së dorëzimit.
Abraham Asrat, kreu i dDpartamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe marrëdhënieve me opinionin pranë administratës së qytetit Addis Ababa, pranoi donacionin nga ambasadori Alp dhe nga Murat Öcal, drejtori i kompanisë Yapi Merkezi për Etiopinë.

Donacioni përfshin materiale të ndryshme shkollore, si lapsa dhe fletore, që do të ndahen në shkollat publike në zonën periferike Bole të kryeqytetit Addis Ababa.
Alp tha se donacioni ishte një veprim i qeverisë turke dhe kompanisë Yapi Merkezi për të mbështetur studentët pasi ata "dëgjuan për fushatën për arsim falas të administratës së qytetit Addis Ababa".
Duke e pranuar donacionin, Abraham tha se administrata e tij filloi projektin për t'u mundësuar studentëve materiale shkollore, uniforma shkollore dhe shkollim falas.
"Ne po e bëjmë këtë duke bashkëpunuar me ambasadat dhe komunitetin e donatorëve", tha ai.
"Donacionet e sotme të bëra nga Yapi Merkezi dhe nga ambasada turke janë të rëndësishme në mbështetjen e projektit për shkollim falas të administratës së qytetit", tha ai për AA.
Në ndërkohë, Öcal tha se kompania e tij është përfshirë në aktivitete zhvillimore në Etiopi.
"Ne po ndërtojmë një linjë të madhe hekurudhore në pjesën verilindore të shtetit dhe 92 për qind e ndërtimit të saj veçse ka përfunduar. Kompania ime do të donte që të vazhdojë të përfshihet në aktivitetet zhvillimore që po ndërmerren në Etiopi", tha ai.