Aliia Raimbekova
06 shtator 2023•Përditësim: 06 shtator 2023
Në sulmin që Rusia kreu në orët e mëngjesit me mjete ajrore pa pilot (dronë) në rajonin Odesa të Ukrainës u dëmtua infrastruktura e portit dhe e objekteve bujqësore, transmeton Anadolu.
Kreu i administratës ushtarake të rajonit Odesa, Oleg Kiper në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale tha se Rusia në orët e mëngjesit kreu sulm me dronë ndaj zonës Izmail të rajonit Odesa.
"Në sulm humbi jetën punonjësi i një biznesi bujqësor. Në disa vendbanime u shënuan shembje dhe zjarre. U dëmtua infrastruktura e portit dhe e objekteve bujqësore si siloset, ndërtesat administrative dhe biznese bujqësore", tha Kiper.
Kreu i Administratës Ushtarake të qytetit të Kievit, Sergey Popko në një postim nga llogaria e tij në median sociale theksoi se Rusia ka sulmuar kryeqytetin Kiev me raketa lundruese.
"Të gjitha objektivat ruse që përparuan drejt Kievit u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës", tha Popko i cili shto se nuk ka patur humbje jete dhe shembje.
Në një deklaratë nga Forcat Ajrore të Ukrainës thuhet se Rusia natën e 6 gushtit ka kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj territoreve të Ukrainës.
Në sulme u përcaktuan 7 raketa lundruese, një raketë balistike Iskander-M dhe 25 dronë të llojit Shahed-136/131, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës shkatërruan 23 objektiva ajrore, përfshirë 7 raketa lundruese, 1 raketë balistike dhe 15 dronë.