Ekip
28 Shkurt 2018•Përditësim: 01 Mars 2018
PARIS (AA) – Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) ka dënuar vrasjen e gazetarit që ishte duke hetuar një skandal korrupsioni në Sllovaki, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, u kërkoi autoriteteve sllovake të hetojnë vrasjen e gazetarit Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, të cilët u vranë të dielën e kaluar në shtëpinë e tyre në qytetin jugperëndimor Velka Maca, pranë kryeqytetit Bratisllavë.
“Unë e dënoj vrasjen e gazetarit Jan Kuciak. Gazetarët kanë të drejtë të përmbushin misionin e tyre për të informuar pa pasur frikë për jetën e tyre. Unë u bëj thirrje autoriteteve të hetojnë në tërësi këtë rast dhe t’i sjellin autorët e këtij krimi në gjyq”, ka deklaruar Azoulay.
Shefi i policisë sllovake, Tibor Gaspar, të hënën tha se ka gjasa që vrasja “të ketë të bëjë me aktivitetet hulumtuese të gazetarit Kuciak”, duke shtuar se ajo ishte planifikuar paraprakisht.
UNESCO bëri të ditur se vrasja e gazetarit Kuciak është vrasja e parë e një gazetari në Sllovaki që kur vendi u bë anëtar i Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2004.
- Ministri sllovak i kulturës jep dorheqje pas vrasjes të gazetarit
Marek Madaric, Ministri sllovak i Kulturës, ka dhënë dorëheqje të mërkurën pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të dashurës së tij.
Madaric, anëtar i Partisë Socialdemokrate të Kryeministrit Robert Fico, tha se ky ishte vendimi i tij personal.
"Si ministër i kulturës, nuk jam në gjendje të pajtohem me faktin se gjatë mandatit tim është vrarë një gazertar", ka thënë Madaric.
Sipas mediumeve sllovake, 27-vjeçari Kuciak, punonjës i një mediumi lokal, kishte hetuar evazionin fiskal.