Aydoğan Kalabalık
03 Qershor 2020•Përditësim: 03 Qershor 2020
Ushtria e Libisë filloi operacionin nga tre pika të ndryshme ndaj qytetit Tarhuna i cili ndodhet në juglindje të kryeqytetit Tripoli, raporton Anadolu Agency (AA).
Mustafa al-Majai, zëdhënës i operacionit "Burkan Al-Ghadab" të ndërmarrë nga ushtria e Libisë, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se vazhdojnë me të gjithë shpejtësinë operacionet kundër milicëve të Khalifa Haftar, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit.
Njësitë e ushtrisë filluan nga tre pika të ndryshme një operacion për të marrë nën kontroll qytetin Tarhuna i cili është qyteti i fundit nën pushtimin e milicëve të Haftarit në perëndim të Libisë, deklaroi Al-Majai, i cili ka shtuar se konfliktet vazhdojnë në rajonin Garabulli (Castelverde).
Ushtria e Libisë sot njoftoi gjithashtu fillimin e një operacioni për të marrë nga milicët e Haftarit aeroportin ndërkombëtar të Tripolit që ndodhet në jug të kryeqytetit të vendit
- Çfarë ka ndodhur?
Forcat e qeverisë së Libisë, më 13 prill pasi nxorën milicët e Haftarit nga 8 vendbanime në perëndim të vendit, njoftuan se kanë pastruar nga milicët një territor prej rreth 3 mijë km katrorë dhe më pas me 18 prill filluan një operacion drejt qytetit Tarhuna.
Pas përparimit deri në disa pika të caktuara në periferi të Trahuna, forcat e ushtrisë së Libisë u tërhoqën dhe më 18 maj ata siguruan plotësisht kontrollin në bazën ushtarake ajrore Al-Watiya me rëndësi strategjike në jugperëndim të Tripolit.
Njësitë e ushtrisë, vazhduan përparimin e tyre drejt jugut pasi më 22-24 maj pastruan nga milicët një zonë të gjerë përfshirë kampet ushtarake Yarmouk, Sawarikh dhe Hamza në jug të kryeqytetit.