Elena Teslova
03 Shkurt 2020•Përditësim: 03 Shkurt 2020
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ushtritë e Rusisë dhe Turqisë janë në kontakt në lidhje me situatën në Idlib, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ushtritë ruse dhe turke janë në kontakt të afërt. Nuk ka pasur ende një bisedë të nivelit të lartë (rreth situatës në Idlib), por nuk ka dyshim se nëse presidentët e shohin të nevojshme, mund të bihet dakord brenda një kohe të shkurtër", tha Peskov para përfaqësuesve të mediave në Moskë.
Deklarata vjen pas sulmit të regjimit sirian ndaj forcave turke në Idlib në të cilin u martirizuan 6 persona. Rusia është një aleat kyç i regjimit sirian.
Provinca e Idlibit, e cila ndodhet në veriperëndim të Sirisë, është bastion i opozitës dhe grupeve të armatosura antiqeveritare që nga shpërthimi i luftës civile në vitin 2011.
Aktualisht në të banojnë rreth katër milionë civilë, duke përfshirë qindra mijëra persona të zhvendosur në vitet e fundit nga forcat e regjimit.
Turqia dhe Rusia në shtator të vitit 2018 u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.
Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.
Në një veprim të fundit, Turqia më 10 janar njoftoi një armëpushim të ri në Idlib që do të fillonte pas mesnatës më 12 janar. Megjithatë, regjimi dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani vazhduan sulmet tokësore.
Pothuajse 1,5 milionë sirianë janë vendosur në afërsi të kufirit turk për shkak të sulmeve intensive që nga fillimi i vitit 2019.
Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve.
Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se dhjetë milionë janë zhvendosur.