Sinan Doğan
06 Tetor 2021•Përditësim: 06 Tetor 2021
Emigrantët që duan të shkojnë në SHBA për shkak të problemeve ekonomike dhe fatkeqësive natyrore në vendet e tyre, vazhdojnë pritjen e pashpresë në Meksikë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në shtypin e vendit, emigrantët numri i të cilëve rritet çdo ditë e më shumë në rajonin Chiapas në juglindje të Meksikës, presin për të kaluar në SHBA duke ngritur çadra të përkohshme në qendra të rëndësishme.
Emigrantët, shumica e të cilëve janë nga Haiti dhe Amerika Qendrore që ecin për kilometra të tëra me sendet dhe çanta mbi shpinë, kanë shkaktuar grumbullime në qytetin Hidalgo të rajonit.
Në anën tjetër sot është lejuar nga zyrtarët kalimi i një grupi të emigrantëve prej 300 personash nga lumi Suchiate, i cili lidh kufirin mes Meksikës dhe Guatemalës.
Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, në një konferencë për media që zhvilloi më 25 shtator theksoi se nuk dëshiron që vendi i tij të kthehet në një kamp emigrantësh për shkak të migrimit të parregullt që ka kaluar sërish në rritje javët e fundit dhe gjithashtu ai kërkoi nga SHBA-ja mbështetje kundër migrimit.