Ata Ufuk Şeker
09 dhjetor 2021•Përditësim: 09 dhjetor 2021
Institucionet e Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar që të zgjatet edhe për 10 vjet rregullorja e cila në vendet anëtare është në fuqi që nga viti 2017 dhe e cila siguron që për abonentët të mos aplikohet tarifa roaming nga operatorët e telefonisë celulare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian (PE) njoftuan se në negociata është arritur dakordim lidhur me zgjatjen e rregullores afati i të cilës do të përfundojë më 30 qershor 2022 dhe e cila parashikon që të mos merret pagesë roaming nga abonentët e telefonisë celulare. Sipas kësaj, rregullorja e emërtuar "Roaming si në shtëpi", e cila përfshin heqjen e pagesave roaming ndërmjet vendeve të BE-së, do të zgjatet deri në vitin 2032.
Rregullorja pas kësaj faze do të hyjë në fuqi pasi të miratohet zyrtarisht nga Këshilli i BE-së dhe PE-ja.
Rregullorja aktuale roaming e BE-së u vendos në zbatim më 15 qershor 2017.
Me rregulloren përdoruesit abonentë të operatorëve të telefonisë celulare të çdo vendi brenda BE-së, nëpërmjet tarifës dhe marrëveshjes së operatorit të tij mund të përdorin pa pagesë shtesë roaming kohën e bisedës, mesazhet dhe paketat gjatë udhëtimeve që kryen në vende të tjera të BE-së.
Në këtë mënyrë përfunduan kufizimet e përdorimit dhe mesazhet Roaming që shtetasit e vendeve anëtare të BE-së, merrnin kur kalonin kufijtë e një vendi tjetër anëtar të BE-së gjatë udhëtimeve të punës, pushimeve dhe udhëtimeve private.
Me rregullore u sigurua eliminimi i faturave të larta nga proceset e kryera me celularët në udhëtimet brenda BE-së.