Ekip
02 Qershor 2021•Përditësim: 02 Qershor 2021
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro njoftoi të martën se një mision nga qeveria norvegjeze mbërriti në Venezuelë për të promovuar dialogun mes qeverisë dhe opozitës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të dy palët kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për dialog nën moderimin e komisionit norvegjez. Ata po ashtu kanë thënë se dialogu do të konsistojë kryesisht në negocimin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në këmbim të heqjes së sanksioneve të SHBA-së ndaj Venezuelës.
Në mënyrë të veçantë, Maduro kërkon heqjen e sanksioneve të SHBA-së, njohjen ndërkombëtare të asamblesë kombëtare të zgjedhur në dhjetor dhe kthimin e aseteve dhe llogarive bankare të qeverisë venezueliane jashtë shtetit, pasi këto tani janë ngrirë nga Washingtoni.
Lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, Maduro shfaqi gatishmërinë e tij për të "çuar kundërshtarët e revolucionit në terrenin ku përcaktohet gjithçka, vota popullore".
Maduro po ashtu përmendi se ai dëshiron që dialogu të zhvillohet në publik, me "deklarata, fotografi, imazhe dhe transparencë".