Ekip
02 Mars 2022•Përditësim: 02 Mars 2022
Bashkimi Evropian (BE) ka miratuar zyrtarisht sanksione kundër Rusisë, duke përfshirë përjashtimin e shtatë bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i transferimit të parave SWIFT dhe pezullimin e transmetimit të rrjeteve shtetërore ‘Russia Today’ dhe ‘Sputnik’, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këshilli i BE-së tha se blloku evropian vendosi të "ndalojë ofrimin e shërbimeve të specializuara të mesazheve financiare, të cilat përdoren për shkëmbimin e të dhënave financiare (SWIFT)" për shtatë banka ruse.
Sanksionet përfshijnë bankat ‘Otkritie’, ‘Novikombank’, ‘Promsvyazbank’, ‘Rossiya Bank’, ‘Sovcombank’, ‘VNESHECONOMBANK (VEB)’ dhe ‘VTB BANK’.
Sipas njoftimit, sanksionet vijnë në përgjigje "të agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse kundër Ukrainës".
Vendimi po ashtu ndaloi operatorët e BE-së të investojnë ose të bashkëpunojnë me Fondin e Investimeve Direkte Ruse, si dhe të sheshin ose transferojnë kartëmonedha në euro në Rusi.
Me një vendim tjetër, BE-ja pezulloi transmetimin e ‘Sputnik’ dhe ‘Russia Today’, përfshirë kanalet angleze, gjermane, franceze dhe spanjolle të këtij të fundit.
"Manipulimi sistematik i informacionit dhe dezinformimit nga Kremlini zbatohet si një mjet operacional në sulmin ndaj Ukrainës", komentoi vendimin Josep Borrell, shef i politikës së jashtme të BE-së.
Borrell tha se vendimi është një tjetër "hap i rëndësishëm kundër operacionit manipulues të Putin-it dhe mbylljes së lidhjes në BE për mediat ruse të kontrolluara nga shteti".
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurti, Moska është pritur me dënime nga komuniteti ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në që po zbatojnë një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Javën e kaluar, BE-ja miratoi tre paketa sanksionesh kundër Rusisë, duke synuar ndër të tjera presidentin Vladimir Putin, kryediplomatin Sergey Lavrov, sektorin bankar rus dhe kompanitë kryesore shtetërore.
Të dielën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nënshkroi zyrtarisht kërkesën e vendit të Evropës Lindore për t’u anësuar në BE.
Sipas Shërbimit të Situatave Emergjente të Ukrainës, të paktën 650 mijë njerëz ikën në BE nga Ukraina që nga fillimi i luftës ruse.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), deri më tani në Ukrainë të paktën 136 civilë, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë dhe 400 të tjerë, përfshirë 26 fëmijë, kanë plagosur.