Elena Teslova
28 Mars 2022•Përditësim: 28 Mars 2022
Presidenti rus udhëzoi sot qeverinë, bankën qendrore dhe kompaninë Gazprom që pagesat të kalojnë në rubla deri më 31 mars për dërgesat e gazit ndaj “vendeve jomiqësore”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Vladimir Putin bëri thirrje gjithashtu për një raport mbi zbatimin e detyrës më 31 mars, thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të Kremlinit.
Presidenti urdhëroi qeverinë, Bankën Qendrore të Rusisë dhe Shoqërinë Aksionare Publike Gazprom të zbatojnë “një sërë masash për të ndryshuar në rubla ruse monedhën e pagesës për furnizimet me gaz natyror për Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera që kanë vendosur masa kufizuese kundër qytetarëve të Federatës Ruse dhe personave juridikë rusë”, thuhet në deklaratë.
Më 23 mars, presidenti Putin tha se nuk ka më asnjë arsye për të vazhduar përdorimin e dollarit dhe euros pasi SHBA-ja dhe BE-ja sanksionuan shtetin rus.
Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ndër të tjera, kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Të paktën 1.119 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 1.790 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, kurse shifrat e vërteta mendohet se janë shumë më të larta.
Më shumë se 3,82 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.