Fatjon Cuka
09 Maj 2016•Përditësim: 10 Maj 2016
TIRANË (AA) - Me disa ceremoni dhe aktivitete të ndryshme të organizuara nga institucionet e larta të vendit, në Shqipëri është shënuar Dita e Europës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e organizuar në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë, mbajti një fjalim edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se sot është dita për të folur për Europën.
“Jemi më pranë se asnjëherë më parë krijimit të një mundësie konkrete për të ecur së bashku në një rrugë që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, por që është e vetmja rrugë për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian, rruga e negociatave. Jemi krenarë që pasi i dhamë Shqipërisë mundësinë për të marrë statusin e kandidatit me një vonesë të gjatë dhe të pajustifikueshme, por thjesht dhe vetëm për shkak të mungesës së vullnetit reformator të qeverisë së shkuar, sot, falë vullnetit reformator, jemi shumë pranë çeljes së negociatave”, u shpreh Rama në fjalën e tij.
Rama ka pohuar gjithashtu se Bashkimi Europian meriton shumë kritika, por që përtej të gjitha kritikave, sipas tij, meriton admirimin më të madh si krijesa me e jashtëzakonshme e imagjinuar nga njeriu.
Ndërkohë për Ditën e Europës, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dyert për qytetarët dhe nxënësit e shkollave për të vizituar ambientet e sallës së seancave plenare, por edhe ambiente e tjera të Kuvendit.