Ivana Ramadanova
25 Mars 2016•Përditësim: 26 Mars 2016
SHKUP (АА) - Disa qindra punonjës në gjykata dhe administratën publike nga e gjithë Maqedonia sot dolën në protestë paqësore, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta nisi para godinës së Lidhjes së Sindikatave, ndërsa më pas protestuesit vazhduan drejt Parlamentit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Shoqërisë Informatike. Kryetari i Administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare, Peco Grujovski para godinës së Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kërkoi që Ligji për Shërbimin Gjyqësor përsëri të rishikohet, për shkak se siç tha, administratës gjyqësore i nevojiten ligje të zbatueshme.
"Ta rikujtojmë ministrin se propozuan ligj me shumë gabime teknike, që tregon se ata madje as nuk e kanë lexuar. Pos asaj ligji ka shumë mangësi. Ne nuk u zgjuam tani. Ne tashmë dy vite e bëjmë këtë betejë nga miratimi i ligjeve. Po tentojmë që ti bindim se këto ligje janë kundër punonjësve, se i shkurtojnë të drejtat e punëtorëve, se i vënë në pozicion punonjësit të jenë të nënshtruar para shefave, të mund ti dënojnë dhe ti pushojnë nga puna kur të duan", tha Grujovski.
Para Ministrisë së Drejtësisë foli edhe Verica Taseva, nënkryetare e Sindikatës së Gjyqësisë dhe Administratës, e cila ministrit të këtij dikasteri i porositi se dy vite administrata gjyqësore po bën përpjekje të tregojë se Ligji për Shërbimin gjyqësor është i keq, duke shtuar se edhe përskaj zgjidhjeve të ofruara për këtë ligj, ministri i ka injoruar.
"Ne që jemi pjesë e këtij zinxhiri të rëndësishëm të quajtur pushtet gjyqësor, por për ju siç duket jemi të parëndësishëm. Administrata gjyqësore nuk dëshiron ministër i cili nuk interesohet për administratorët e tij dhe i injoron. Prandaj ju ftojmë të tregoni vullnet të mirë dhe me forca të përbashkëta të veprojmë që të miratohet ligj i ri për shërbim gjyqësor që i takon kësaj administrate e cila është efikase, efektive dhe proevropiane", deklaroi Taseva.
Protestës iu bashkuan edhe nënshkruesit e "Kartës së Solidaritetit", Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të mediave, Sindikata e Shërbimit diplomatik të Maqedonisë, Konfederata e organizatave sindikaliste, Sindikata multietnike e Arsimit, Sindikata e Kulturës të Maqedonisë, Lëvizja majtiste "Solidariteti" dhe Lëvizja për të drejta sociale "Lenka".
Në protestën masive të administratës gjyqësore i cili përfundoi para godinës qeveritare, nuk morën pjesë vetëm të punësuarit në Gjykatën Themelore Shkupi 1.