Bekim Laci
24 Dhjetor 2015•Përditësim: 25 Dhjetor 2015
SHKUP (AA) - Kombinati "Jugohrom" ka vendosur të ndalë për një periudhë të caktuar punën e furrave të saj të prodhimit pas protestave të qytetarëve të Tetovës të cilët kombinatin e akuzojnë si ndotësin kryesor të ajrit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Duke patur kujdes për situatën momentale me ndotjen e ajrit në Tetovë, edhe pse menaxhmenti i fabrikës ka qëndrimin se 'Jugohrom', nuk është i vetmi, aq më shumë ndotësi më i madh në rajon, ka sjellë vendim që vullnetarisht të ndalë punën e dy furrave që janë në funksion, gjegjësisht ndalimin e kapacitetit të plotë të prodhimit. Ndërprerja e prodhimtarisë do të fillojë nga 31 dhjetori dhe do të zgjasë deri në fund të shkurtit vitin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e kombinatit “Jugohrom” nga ku thonë se do të vazhdojnë më implementimin e standardeve ekologjike në përputhje me ligjin.
Arianit Xhaferi nga organizata qytetare “Eco Guerila” e cila artikulon zërin e qytetarit për ndotjen e ambient në rajonin e Pollogut, thotë se e kishte lexuar vendimin por se nuk do ta komentojnë. Ai për Anadolu Agency tha se sonte do të takohet me ekpertë të lëmisë, inxhinierë dhe teknologë, dhe vetëm pasi të dëgjojë analizat e tyre do të vendosin për hapat e mëtejmë, më konkretisht nëse do të mbajnë protestën të paralajmëruar për nesër.
Edhe pse qeveria e Republikës së Maqedonisë mbrëmë mbajti seancë ku shqyrtoi “çështjen” e Jugohromit, nuk ka asnjë informacion zyrtar lidhur me vendimet.
Ndryshe, të premten e kaluar mijëra qytetarë të Tetovës të revoltuar nga gjendja katastrofike ekologjike në qytet, përsëri dolën në rrugë për të kërkuar ajër të pastër dhe për të kërkuar nga organet kompetente të angazhohen në punën e tyre për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në këtë rajon.