Derya Gülnaz Özcan
23 Dhjetor 2021•Përditësim: 23 Dhjetor 2021
Greqia ka marrë vendim për të rritur kufizimet në kuadër të luftës kundër pandemisë së COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris në një deklaratë informoi lidhur me kufizimet që do të jenë të vlefshme që nga nesër.
Plevris tërhoqi vëmendjen për rritjen e rasteve dhe përhapjen me shpejtësi të variantit Omicron në Greqi dhe shtoi se vendosja e maskës do të jetë e detyrueshme në ambientet e mbyllura dhe ato të hapura.
Ai theksoi se në markete dhe mjetet e transportit publik do të përdoren dy maska ose maskë e veçantë KN 95 që siguron mbrojtje të lartë.
Duke vënë në dukje se aktivitetet argëtuese të planifikuara në hapësira publike nga bashkitë do të anulohen, Plevris potencoi se është rekomanduar që personat që do të marrin pjesë në aktivitete të kryejnë testet para tyre.
Pasi rikujtoi se testi për COVID-19 kërkohet për të gjithë ata që vizitojnë Greqinë, Plevris tha se vizitorëve u rekomandohet të kryejnë sërish testin ditën e dytë dhe në ditën e katërt të ardhjes së tyre në Greqi.
Sipas tij, kufizimet në fjalë do të jenë të vlefshme deri më 3 janar 2022. Ministri grek tha se pas vlerësimeve që do të bëhen nga ekspertët dhe autoritetet pas datës 3 janar 2022 mund të vendosen kufizime të reja.