Faisal Mahmud
14 shtator 2026•Përditësim: 14 shtator 2026
Koreja e Jugut dënoi sot sulmet e fundit nga grupi Huthi i Jemenit që synonin objektet civile dhe ekonomike në Arabinë Saudite dhe kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve, transmeton Anadolu.
"Dënojmë sulmet e rebelëve Huthi që synojnë civilët dhe objektet ekonomike në jug të Arabisë Saudite, të cilat rezultuan në një numër viktimash civile", tha Ministria e Jashtme në një deklaratë, sipas Agjencisë së Lajmeve Yonhap.
Seuli thekson se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile si dhe veprimet që kërcënojnë lirinë dhe sigurinë e lundrimit, nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë. Ajo shprehu "solidaritet të thellë" me Arabinë Saudite dhe u kërkoi Huthive të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet rajonale.
Ministria tha se stabiliteti në Lindjen e Mesme dhe lundrimi i sigurt në Detin e Kuq janë të rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht për zinxhirët globalë të furnizimit dhe sigurinë energjetike.
Huthit, të mbështetur nga Irani kohët e fundit kanë intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë kundër qyteteve dhe infrastrukturës energjetike saudite. Luftimet në Jemen midis forcave qeveritare të mbështetura nga Riadi dhe grupit rebel vazhdojnë në disa fronte, duke rritur frikën e një rikthimi në konflikt në shkallë të plotë, duke prishur një qetësi relative të vërejtur që nga prilli i vitit 2022.
Jemeni ka vuajtur gati 12 vjet luftë që kur Huthit pushtuan kryeqytetin Sana në vitin 2014. Huthit kanë synuar gjithashtu anijet tregtare në Detin e Kuq ndërsa Arabia Saudite njoftoi një mision në korrik për të formuar një aleancë ndërkombëtare detare.