Bekim Laci
06 Nëntor 2015•Përditësim: 07 Nëntor 2015
SHKUP (AA)- Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Republikës së Shqipërisë nënshkruan sot në Shkup marrëveshje bashkëpunimi, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç sqaroi drejtori i Arkivit të Maqedonisë, Filip Petrovski akti i sotëm paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit të mëparshëm me një afat shtesë tre vjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një periudhë tjetër trevjeçare.
“Kjo paraqet paralajmërim të asaj që do të ndodhë në pranverë, themelimi i Këshillit të Arkivave nga shtetet e Evropës Juglindore . Shumë shtete jemi dakorduar për një gjë të tillë, ndërsa kjo del nga nevoja për harmonizim të standardeve, të hapen arkivat në mënyrë që profesionistët të bëjnë punën e tyre duke bashkëpunuar”, tha Petrovski.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Gjet Ndoj, nga ana e tij u shpreh i kënaqur për nismën e themelimit të këtij këshilli dhe u shpreh i gatshëm për takimet në pranverë.
“Është një marrëveshje që na intereson të dy institucioneve tona. Interesi parësorë është pasurimi i arkivave tona me dokumentacion në mënyrë reciproke. Kjo është një nismë e shteteve të Evropës Juglindore dhe mendoj se nga pranvera mund të takohemi me të gjithë drejtorët këtu në Shkup duke filluar nga drejtori i Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Malit të Zi, Kroacisë, etj”, deklaroi Ndoj.
Marrëveshja e re e bashkëpunimi parashikon shkëmbimin e profesionistëve nga lëmi i punës arkivore që nënkupton qëndrim në shtetet respektive dhe këmbim të materialit arkivor në bazë të reciprocitetit.