Agon Fehmiu
04 Mars 2016•Përditësim: 04 Mars 2016
PRISHTINË (AA) – Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ku ka marr pjesë edhe nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 10 mars, raporton Anadolu Agency (AA).
Dërguti kundërshtoi caktimin e seancës së re për të enjten e ardhshme. Megjithatë, duke theksuar se shumica vendosi që ajo të mbahet, shtoi se opozita do të marrë pjesë në seancë, sikurse herëve të kaluara.
“Unë si e vetmja përfaqësuese e opozitës e dhashë qëndrimin e opozitës që jemi kundër mbajtjes së një seance” tha Dërguti.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli bëri të ditur se seanca e radhës do të ketë 18 pika të rendit të ditës dhe pjesa më e madhe e tyre ka të bëjë me proceset e integrimeve evropiane të Kosovës.
Ai theksoi se në seancën e 26 shkurtit, kryesia dhe organet e Kuvendit kanë punuar konformë Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, por në fund fjalën e fundit do ta thotë Kushtetuesja. “Procesi ka qenë transparent dhe demokratik. Pjesa e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese është vulë e procesit. Ajo i jep të drejtën të gjitha proceseve të tjera” përfundoi kryeparlamentari Veseli.