Nazmi Abduramani
09 Mars 2017•Përditësim: 09 Mars 2017
SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, sot ka pritur Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin, siç njoftoi Kabineti i Ivanovit, u shkëmbyen mendime për gjendjen aktuale në Republikën e Maqedonisë dhe sfidat me të cilat përballet shteti të shkaktuara nga kriza politike, kushtetuese dhe institucionale.
“Në kontekst të gjendjes aktuale, presidenti Ivanov përsëriti qëndrimet se ka aspekt juridik dhe politik, të cilat janë problem, por edhe parakusht për dalje nga gjendja. Lidhur me aspektin juridik lidhur me afatet për ndarjen e mandatit, theksoi se është lehtë i tejkalueshëm. Lidhur me aspektin politik, presidenti Ivanov theksoi se mbetet në qëndrimin se platforma e Tiranës duhet të dënohet dhe hedhet poshtë, sikur edhe përzierja në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë, të cilat nuk ndihmojnë në përpjekjet për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, theksohet në njoftimin.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Zanier shprehu shqetësimin për tensionet ndëretnike, duke apeluar që të gjithë të bëjnë hapa konstruktiv për tejkalimin e krizës. Ai u pajtua me presidentin Ivanov se liderët e rajonit duhet të përmbahen nga retorika e dëmshme.
“Presidenti i Maqedonisë dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së shkëmbyen mendime edhe lidhur me gjendjen e sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për krizën migratore dhe të refugjatëve. Presidenti Ivanov theksoi se Republika e Maqedonisë edhe më tej i zbaton masat në pajtim me konstatimet e Këshillit Evropian për ndërprerjen e shpejtë të fluksit të migrantëve, për mbrojtjen e kufijve, uljen e migracionit ilegal dhe ruajtjen e integritetit të Zonës Shengen”, thuhet në njoftim.
Me qëllim të përballjes me kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm dhe aktivitetet e luftëtarëve të huaj terrorist, presidenti i Maqedonisë theksoi nevojën e programeve të OSBE-së për kundër-radikalizim dhe deradikalizim.
Presidenti Ivanov shprehu pritjet për vazhdimin e bashkëpunimit me OSBE-në dhe mbështetjen e tyre në sferat, siç janë sundimi i së drejtës, policia, gjyqësori dhe avancimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëjetesa. Zanier sot u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Poposki, ndërsa pasdite do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive parlamentare politike.