İlayda Çakırtekin
02 korrik 2026•Përditësim: 02 korrik 2026
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka njoftuar se shpërthimi i hantavirusit mund të konsiderohet i përfunduar, pasi kontakti i fundit i një personi të infektuar në anijen turistike MV Hondius përfundoi karantinën dhe rezultoi negativ në testim, transmeton Anadolu.
“Që nga 25 maji nuk është raportuar asnjë rast i ri. Prandaj, jemi shumë të kënaqur të themi se OBSH-ja e konsideron shpërthimin e hantavirusit të përfunduar”, deklaroi Ghebreyesus gjatë një konference për media.
Shefi i OBSH-së theksoi se numri total i rasteve nga ky shpërthim mbeti në 13, përfshirë tre viktima dhe shtoi se më shumë se 650 kontakte u identifikuan dhe u monitoruan në 33 vende dhe territore.
“Megjithëse shpërthimi ka përfunduar, OBSH-ja do të vazhdojë të punojë me qeveritë dhe partnerët për të avancuar kuptimin tonë mbi këtë shpërthim dhe mbi hantavirusin në përgjithësi”, tha Ghebreyesus.
Ai shtoi se OBSH po koordinon një studim që përfshin 21 vende për të kuptuar më mirë mënyrën se si zhvillohet sëmundja dhe për të mbështetur zhvillimin e metodave diagnostikuese, trajtimeve dhe vaksinave për shpërthime të ardhshme.
- Mesatarisht 38 raste të Ebolës çdo ditë gjatë dy javëve të fundit në Kongo
“Ndërkohë, në Republikën Demokratike të Kongos, njoftoi Ghebreyesus, shpërthimi i Ebolës vazhdon të zgjerohet, me një mesatare prej 38 rastesh të reja të konfirmuara çdo ditë gjatë dy javëve të fundit.
“Deri më sot janë konfirmuar 1.406 raste dhe 438 persona kanë humbur jetën”, tha ai.
Ai tha se OBSH-ja ka forcuar reagimin e saj dhe theksoi se kapaciteti i testimit është zgjeruar në 10 laboratorë dhe se gjurmimi i kontakteve është përmirësuar, me katër nga pesë kontakte që monitorohen rregullisht.
Ai gjithashtu tha se edhe kapaciteti i trajtimit është zgjeruar, me rreth 650 shtretër të disponueshëm në 22 qendra shëndetësore. Ai shtoi se kanë filluar provat klinike të dy trajtimeve, me regjistrimin e pacientit të parë.
“Po ashtu sot, OBSH i ka dhënë autorizimin për përdorim emergjent testit të parë molekular diagnostikues për virusin Bundibugyo. Pavarësisht gjithë këtij progresi, ne vazhdojmë të përballemi me sfida të rëndësishme, përfshirë mungesën e besimit dhe dhunën”, shtoi ai.
- 2.300 të vdekur dhe 5.000 të plagosur pas tërmeteve në Venezuelë
Ghebreyesus gjithashtu njoftoi se tërmetet e fundit në Venezuelë kanë lënë pas 2.300 të vdekur, 5.000 të plagosur dhe pothuajse 16.000 persona të pastrehë.
Ai tha se organizata ka ndarë 1.5 milionë dollarë nga fondi i saj rezervë për emergjenca dhe ka dërguar më shumë se 6 tonë metrik furnizime mjekësore emergjente, ndërsa 28 tonë të tjera pritet të dërgohen në ditët në vijim.
“Tërmeti e përkeqëson një krizë humanitare tashmë të rëndë, duke ushtruar presion shtesë mbi një sistem shëndetësor që tashmë kishte vështirësi për t’u përgjigjur nevojave të njerëzve”, tha Ghebreyesus.