Shpetim Hiseni
07 shtator 2026•Përditësim: 07 shtator 2026
Tetë persona kanë humbur jetën deri më tani nga forma neuroinvazive të etheve të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, ndërsa tetë pacientë me këtë diagnozë janë aktualisht të hospitalizuar, transmeton Anadolu.
Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana tha në një konferencë për media se viktima e tetë është një pacient 70-vjeçar, i cili ishte pranuar më 25 gusht në gjendje shumë të rëndë.
"Për fat të keq, gjatë fundjavës është regjistruar edhe një vdekje e një pacienti 70-vjeçar, pacienti i tetë me radhë, i cili u pranua në klinikë më 25 gusht në një gjendje të përgjithshme jashtëzakonisht të rëndë. Menjëherë pas pranimit u vendos në repartin e kujdesit intensiv, u intubua dhe ishte në ventilim mekanik. Gjatë gjithë qëndrimit dhjetëditor, pacienti ishte në gjendje të përgjithshme jashtëzakonisht të rëndë dhe, pavarësisht gjithë trajtimit dhe përpjekjeve të repartit të kujdesit intensiv, gjatë fundjavës përfundoi me vdekje", tha Cana.
Nga tetë pacientët e hospitalizuar, dy janë në gjendje më të rëndë klinike, të intubuar dhe në ventilim mekanik në repartin e kujdesit intensiv. Cana tha se gjatë katër ditëve të fundit nuk është pranuar asnjë pacient i ri me ethe e Nilit Perëndimor. Sipas tij, pacientët që po trajtohen në klinikë janë infektuar brenda vendit.
Ethet e Nilit Perëndimor janë sëmundje virale që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar nuk kanë simptoma ose kanë simptoma të lehta, por një pjesë e vogël mund të zhvillojë formën neuroinvazive, e cila mund të shkaktojë inflamacion të trurit ose cipave të trurit dhe të jetë kërcënuese për jetën.