Emre Aşıkçı
07 Prill 2022•Përditësim: 08 Prill 2022
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi sot rregulloret e reja të licencimit të klubeve dhe qëndrueshmërisë financiare, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Rregullorja kufizon shpenzimet për pagat, transferimet dhe tarifat e agjentëve në 70 për qind të të ardhurave të klubit. Vlerësimet do të kryhen në kohën e duhur dhe shkeljet do të rezultojnë në dënime të paracaktuara financiare dhe masa sportive”, thuhet në një deklaratë të lëshuar pas një takimi i posaçëm të komitetit në Zvicër.
Organi qeverisës i futbollit evropian vuri në dukje se rregulloret janë reforma e parë e madhe e rregulloreve të financave që nga prezantimi në vitin 2010.
UEFA tha se humbjet e pranueshme do të dyfishoheshin nga 30 milionë euro në 60 milionë euro gjatë një periudhe trevjeçare, por “kërkesat për të siguruar vlerën e drejtë të transaksioneve, për të përmirësuar bilancin e klubeve dhe për të reduktuar borxhet janë forcuar ndjeshëm”.
UEFA shtoi se rregulloret e reja do të hyjnë në fuqi në qershor dhe do të zbatohen gradualisht gjatë tri viteve për të lejuar që klubet të përshtaten.