Nazlı Yüzbaşıoğlu
05 Qershor 2017•Përditësim: 05 Qershor 2017
ANKARA (AA) - Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me kërkesën e homologut të tij gjerman për vizitën në Incirlik dhe bazën ushtarake të NATO-s në Konya, është shprehur: "Aktualisht vizitat në bazën e NATO-s në Konya janë të mundura, ndërsa në Incirlik jo", raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit kokë më kokë, Çavuşoğlu dhe homologu i tij turk, Sigmar Gabriel zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.
Çavuşoğlu ka thënë se gjatë takimeve dypalëshe homologu i tij i ka përcjellë atij kërkesën për të vizituar bazën ajrore të Incirlik-ut dhe atë të NATO-s në Konya. Çavuşoğlu ka theksuar se një temë e tillë është diskutuar edhe gjatë takimit mes Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
"Sugjerimi ynë edhe gjatë takimit të Presidentit Erdoğan me kancelaren Merkel ishte zhvillimi i vizitës në bazën e NATO-s në Konya. Është mirë të fillojë me këtë. Këto gjëra i vlerësuam edhe sot, duke përfshirë këtu edhe Incirlik-un. Që nga ky moment zyrtarët gjermanë, mund të vizitojnë bazën e NATO-s në Konya, ndërsa jo atë të Incirlik-ut. Kemi deklaruar edhe më parë. Vizita në Konya është e mundur dhe unë këtë e kam thënë edhe më parë në fjalimet e mia", theksoi në vijim ministri turk i Punëve të Jashtme, Çavuşoğlu.