Gözde Bayar
04 Shtator 2020•Përditësim: 04 Shtator 2020
Turqia sot shënoi 101-vjetorin e Kongresit të Sivasit, një ngarje historike në rrugën e Republikës së Turqisë drejt pavarësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Në 101-vjetorin e Kongresit të Sivasit, ne shprehim edhe një herë se kombi ynë, i cili nuk pranon mandatin dhe patronazhin, do të mbrojë këtë copë toke qiellore si një tërësi dhe kurrë nuk do të lejojë të ndahet", tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan në një mesazh.
Erdoğan tha se planifikimi për luftën ishte bërë në kongresin në të cilin Turqia deklaroi se kurrë nuk do t'u nënshtrohet forcave pushtuese.
"Vendimet e marra në Kongresin e Sivasit luajtën një rol të rëndësishëm në përcaktimin e Betimit Kombëtar, hapjen e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, të gjitha fazat e Luftës së Pavarësisë dhe themelimin e Republikës së Turqisë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Turqia ka qëndruar gjithmonë me unitet dhe solidaritet kundër kërcënimeve që shënjestrojnë flamurin e saj, atdheun dhe pavarësinë.
Erdoğan përkujtoi të gjithë ushtarët e rënë dhe Mustafa Kemal Ataturkun, themeluesin e Republikës së Turqisë.
Gjatë kongresit u refuzua ideja e mandatit dhe sistemi i patronazhit, ndërsa u pranua ideja e pavarësisë kombëtare dhe vendimet që do të çonin në luftën kombëtare të pavarësisë.
Ataturku dha udhëzimet për Kongresin e Sivasit dhe shkoi në Erzurum për të mbledhur një kongres më 28 qershor 1919. Ai u kthye në Sivas më 2 shtator dhe qëndroi atje deri më 18 dhjetor.
Një grup nën udhëheqjen e Ataturkut hodhi bazën e themelimit të Republikës së Turqisë më 4 shtator 1919, në ndërtesën e njohur sot si Kongresi i Ataturkut dhe Muzeu i Etnografisë.
Sipas shënimeve, gjatë kongresit shtatëditor u diskutuan propozime të ndryshme për çlirimin e kombit dhe ai përfundoi më 11 shtator 1919, me botimin e një deklarate përfundimtare.
"Ose pavarësi, ose vdekje”, tha Ataturku në lidhje me parimet e arritura nga kongresi.
Kjo lëvizje çoi në një fitore të madhe më 9 shtator 1922 dhe u kurorëzua me shpalljen e Republikës më 29 tetor 1923.