Esra Kaymak
22 Dhjetor 2016•Përditësim: 22 Dhjetor 2016
HATAY (AA) – Si pjesë e evakuimit nga qyteti i përfshirë nga lufta, Halepi, 182 civilë të plagosur rëndë u sollën në provincën jugore Hatay të Turqisë, bënë të ditur autoritetet turke, raporton Anadolu Agency (AA).
Civilët u evakuuan dhe transportuan në Idlib, një tjetër qytet sirian nën kontrollin e opozitës. Sipas Kryeministrisë së Turqisë, ata që ishin në gjendje kritike janë dërguar në spitalet në Hatay.
Mësohet se 80 prej 182 janë transferuar në qytete të tjera turke, ndërsa 71 ishin fëmijë.
Javën e kaluar, forcat siriane të opozitës dhe regjimi arritën një marrëveshje për armëpushim, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Rusia, për evakuimin e civilëve nga Halepi lindor në zona të sigurta të kontrolluara nga opozita në Idlib.
Kryeministri turk Binali Yildirim më herët bëri të ditur se deri tani 40.000 persona janë evakuuar nga zona.