Diyar Güldoğan
16 Dhjetor 2016•Përditësim: 16 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) - Kryeministrat e Turqisë dhe Rusisë, Binali Yildirim dhe Dmitry Medvedev kanë zhvilluar një bisedë telefonike të enjten vonë ku kanë folur në lidhje me situatën në qytetin sirian të Helepit, raporton Anadolu Agency (AA).
Binali Yildirim i bëri thirrje homologut të tij Dmitry Medvedev që Rusia të përdorë "ndikimin" e saj mbi aktorët në Halep, thonë burime nga Kryeministria e Turqisë.
Sipas tyre, Yildirim ka thënë se evakuimi nga Halepi duhet të bëhet në mënyrë të qetë, që do t'iu garantojë siguri civilëve që braktisin qytetin.
Medvedev nga ana e tij tha se Rusia do të vazhdojë të japë mbështetje për procesin e evakuimit dhe të armëpushimit në Halep. Ai shtoi se të dyja palët në Siri duhet të "inkurajohen" për të arritur një zgjidhje politike.
Së fundmi kanë mbërritur në qytetin Idlib i cili ndodhet nën kontrollin e opozitarëve edhe 3 autokolona të evakuimit që u nisën nga lindja e Halepit, që ndodhet nën rrethimin e ushtrisë së regjimit të Bashar al Asadit dhe grupeve të huaja terroriste mbështetës të regjimit. Numri i personave të evakuuar ka arritur në 7.500.
Ditën e djeshme autokolona e parë e evakuimit e cila u vonua të dalë nga rajoni për shkak të sabotimit nga grupet e huaja terroriste mbështetës të regjimit u nis gjatë ditës, ndërsa e dyta në orët e mbrëmjes arriti në qytetin Idlib në kufi me Turqinë.