Mümin Altaş
24 Korrik 2017•Përditësim: 25 Korrik 2017
ANKARA (AA) - Qeveria e Republikës së Turqisë, e kryesuar nga kryeministri Binali Yıldırım, sot ka zhvilluar takimin e parë në Pallatin Çankaja në Ankara pas ndryshimit të fundit të kabinetit të qeveritar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në seancën e sotme për herë të parë morën pjesë zëvendëskryeministri Hakan Çavusoglu, ministri i Drejtësisë Abdulhamit Gul, ministrja e Punës dhe Sigurisë Sociale Julide Sarieroglu, ministri i Rinisë dhe Sportit Osman Askin Bak, ministri i Ushqimit, Bujqësisë dhe Blegtorisë Ahmet Esref Fakibaba dhe ministri i Shëndetësisë Ahmet Demircan.
Në mbledhje morën pjesë edhe zëvendëskryeministrat Bekir Bozdag, Fikri Isik dhe Recep Akdag.
Zëvendëskryeministri Bekir Bozdag, ish-ministër i Drejtësisë deri në ndryshimin e fundit të kabinetit qeveritar, u zgjodh zëdhënës i qeverisë.
Në deklaratë për gazetarët teksa po vazhdonte mbledhja, Bozdag tha se është bërë delegimi i detyrave të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.
Në këtë drejtim, siç tha Bozdag, institucione si Këshilli i Lartë i Sigurisë (MGK) Agjencia e Inteligjencës së Turqisë (MIT) do të veprojnë drejtpërdrejt nën çatinë e kryeministrit Binali Yıldırım.
Ndërkaq, nën përgjegjësi të zëdhënësit Bozdag do të jenë Kuvendi i Turqisë, marrëdhëniet me Këshillin Shtetëror, Kryesia e Çështjeve Fetare, televizioni shtetëror TRT dhe Anadolu Agency (AA).
Zëvendëskryeministri Mehmet Simsek do të ketë nën përgjegjësi koordinimin ekonomik dhe bankat, zëvendëskryeministri Fikri Isik do të koordinojë reformat dhe investimet, zëvendëskryeministri Recep Akdag koordinimin e çështjeve të Qipros, përmirësimin e mjedisit për investime dhe aktivitetet e Drejtorisë për Menaxhimin e Katastrofave dhe Gjendjeve Emergjente, kurse zëvendëskryeministri Hakan Çavusoglu, ndër të tjera, do të merret me institucionet si Drejtoria e Komuniteteve Turke dhe Mike Jashtë Vendit (YTB) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve.
Kujtojmë se ndryshimet në kabinetin e qeverisë turke ndodhën më 19 korrik, kur kryeministri Binali Yıldırım pas një takimi me presidentin e vendit Recep Tayyip Erdoğan shpalosi emrat e rinj në postet e zëvendëskryeministrave dhe ministrave.