Figen Shaban
13 Qershor 2017•Përditësim: 14 Qershor 2017
PRISHTINË (AA)- Instituti "Yunus Emre" në Prishtinë në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve të Prishtinës pranë Komunës së Prishtinës organizoi ndarjen e çmimit të fituesve të garës së pikturës dhe fotografisë me rastin e “11 qershorit- Ditës së Prishtinës” me temë “Prishtina ime”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konkurs kanë qenë të informuar 40 shkolla të Komunës së Prishtinës ku kanë aplikuar nxënësit të cilët vijojnë mësimet në klasat e 5-ta deri në atë të 9-të nga 15 shkollat fillore të Prishtinës, me 71 punime në fushat e fotografisë dhe pikturës.
Drejtoi i Institutit "Yunus Emre" në Prishtinë, Mehmet Ülker, gjatë fjalimit të tij njoftoi se në këtë garë nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës kanë marrë pjesë me 44 punime në pikturë dhe 27 punime në fotografi.
Ülker theksoi se instituti që ai drejton këtë vit ka realizuar ndryshime në konceptin e kësaj gare ku risi është zgjerimi i konceptit të jurisë.
Juria përzgjedhëse e fotografive dhe pikturave më të mira të garës është e përbërë nga fotografi kosovar Afrim Spahiu, piktori dhe profesori Eshref Qahili dhe aktivistja nga shoqata e grave “Lady” Sanija Murati.
Ülker theksoi se tre fituesit e garës së pikturës dhe tre të fotografisë janë shpërblyer me një vizitë pesë ditore kulturore në Stamboll të Turqisë. Ai bëri të ditur se nxënësit do ta vizitojnë Turqinë në fund të këtij muaji ose në javën e parë të muajit korrik.
Ndërsa, artistët ndërkombëtar, piktori dhe akademiku nga Turqia Ahmet Mahiroğlu, gazetari nga Anadolu Agency (AA) Musa Alcan, piktoret nga India Ketaki Pimpalkhare dhe Renata Obcarske nga Lituania që do të jenë pjesë të festivalit “Euro Kosova Art” i cili do të mbahet në Fushë Kosovës po ashtu kanë qenë të pranishëm në këtë aktivitet.
Anëtari i jurisë, Afrim Spahiu, theksoi se juria ka qenë e kënaqur sepse ka pasur interesim shumë të madh për këtë garë, por tha se ishte shumë e vështirë të bëjnë një përzgjedhje për gjashtë më të mirët.
“U detyruam të bëjmë një gërshetim dhe një mundësi që të kemi një diversitet të qasjeve dhe të kulturave të zhvillimit të vetë veprimtarisë të artit pamor”, tha Spahiu.
Fitueset e garës në pikturë janë Erika Arllati, Diellza Bala dhe Adea Hajrizi, ndërsa në garën e fotografisë tre vendet e para i takojnë punimeve të Enea Lajçit, Blend Halitit dhe Dion Asllani