Figen Shaban
22 Maj 2017•Përditësim: 23 Maj 2017
PRISHTINË (AA) – Në organizim të Institutit "Yunus Emre" në Prishtinë sot në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” të komunës së Lipjanit, e cila ndodhet në pjesën qendrore të Kosovës, u mbajt “Koncerti miqësor i koreve” ku performuan katër kore të grave të Kosovës si dhe profesorët e Universitetit "Ahi Evran" të Turqisë me instrumente të kulturës turke, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë koncert të përbashkët të koreve të Kosovës i cili është organizuar për herë të dytë nga Instituti "Yunus Emre" performuan kori i muzikës turke nën udhëheqjen e Sevim Baki Bërvenikut nga Prishtina, kori “Nexhmije Pagarusha” nën udhëheqjen e Nazlie Beadini Sadikut, kori “Zübeyde Hanım” nën udhëheqjen e Nevzat Şundos nga Prizreni dhe kori i femrave të Pejës nën udhëheqjen e Nemide Begollit.
Drejtori i Institutit "Yunus Emre", Mehmet Ülker në një prononcim për AA tha se kanë hapur dyert e institutit në qytetet si Prishtinë, Pejë dhe Prizren.
"Instituti 'Yunus Emre' ka bashkëpunim me dy kore të muzikës turke dhe dy të muzikës shqipe", tha Ülker duke shtuar se përveç performancës së këtyre koreve të grave kanë ftuar edhe profesorët e muzikës nga konservatori i muzikës i Universitetit "Ahi Evran" i Turqisë për të performuar me instrumentin tradicional turk bagllama.
Ai theksoi se IYE synon që të vazhdojë me bashkëpunime ndërkulturore ku do të ftojnë performues të ndryshëm nga shoqatat dhe konservatoret e universiteteve të Turqisë.
“Këto grupe të koreve përveç repertorëve të tyre nga muzika shqipe dhe turke do të performojnë edhe një repertor të përbashkët për këtë koncert. Ky koncert do të jetë një koncert familjar, koncert i kulturave të përbashkëta”, tha Ülker.
Ndërsa, profesori i Konservatorit të Muzikës nga Universiteti "Ahi Evran" i Turqisë, Kubilay Kolukırık i cili performoi këngë të njohura të muzikës popullore turke u shpreh se populli i Kosovës ka një përceptim vendor dhe tradicional të muzikës. Sipas tij, muzika është një gjuhë globale përmes të cilës popujt dhe komunitetet e Kosovës shfaqin një shembull të mirë të demokracisë.
“Muzika është një gjuhë e përbashkët dhe globale ndërnjerëzore. Kjo gjuhë është shumë e rëndësishme për afrimin e popujve dhe komuniteteve të cilët jetojnë këtu. Secili prej nesh bartë themelet e kulturës së vet në brezat e ardhshme. Ky është një detyrim kulturor por sigurisht është e rëndësishme që kjo të ndodhë në kuadër të respektit ndaj kulturave të tjera”, u shpreh Kolukırık.
Në fund të koncertit Instituti "Yunus Emre" kishte përgatitur edhe një koktej modest për qytetarët e Lipjanit.