Zülfiya Yakup
19 Dhjetor 2018•Përditësim: 19 Dhjetor 2018
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në këtë bisede, të cilën kabineti i Haradinajt e quan miqësore, kryeministri i Kosovës ka thënë se është i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi, dhe se e ka informuar sekretarin Stoltenberg për miratimin e ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK.
“Po ashtu, e informova për veprimin konkret të Qeverisë së Kosovës në themelimin e Komitetin Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO, si një zhvillim konkret për afrimin e Kosovës me NATO-n”, ka thënë kryeministri Haradinaj, i cituar në një kumtesë të lëshuar për mediat.
Ndër tjerash, thuhet më tej, Haradinaj e ka garantuar sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të tranzicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.
Kryeministri Haradinaj vlerësoi se Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n, për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Paralelisht me këtë, NATO njoftoi se Stoltenberg informoi Haradinajn se Këshilli i Atlantikut të Veriut, tashmë ka filluar një diskutim mbi ligjet e miratuara kohët e fundit mbi transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, dhe se mandati i FSK-së do të zhvillohet për të rishikuar nivelin e angazhimit të NATO-s në FSK vitin e ardhshëm. Është njoftuar gjithashtu se NATO do të vazhdojë misionin e saj të KFOR-it, i cili vepron nën mandatin e OKB-së, dhe si i tillë nuk ndikohet nga ligjet mbi transformimin e FSK-së në ushtrinë e Kosovës.