Saimir Alija
18 Dhjetor 2018•Përditësim: 19 Dhjetor 2018
TIRANË (AA) – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Migrantëve, Organizata Ndërkombëtare e Migrimit, zyra në Shqipëri (IOM-Albania) ka organizuar një aktivitet me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë, që në fokus kishte sfidat për përballjen me migrimin, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë aktivitetit është prezantuar edhe Strategjia Kombëtare e Shqipërisë për Qeverisjen e Migracionit (2019-2022), e cila përfshin disa objektiva, si garantimin e migracionit të rregullt përmes dhe drejt Shqipërisë, zhvillimin e politikave të efektshme për migracionin për motive punësimi, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe integrimin e tyre.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili theksoi se migrimi ka të bëjë me jetën dhe dinjitetin njerëzor.
“Ndaj të gjithë duhet të solidarizohemi, veçanërisht për të garantuar dinjitetin e atyre që largohen nga rreziqet reale në kërkim të azilit, të zonave më të sigurta, të një jete më të mirë. Në mënyrë të veçantë mbrojtje kërkojnë gratë dhe fëmijët që janë të ekspozuar ndaj rreziqeve dhe abuzimeve skllavëruese”, tha Meta.
Duke folur për sfidën e migrimit, Meta theksoi se ai është një fenomen shumë kompleks dhe i vështirë dhe se mund të përballet vetëm në solidaritet dhe partneritet.
“Ne i jemi mirënjohës Bashkimit Evropian dhe vendeve të tij anëtare për ndihmën që i kanë ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve në ato kohë të vështira. Sot Shqipëria, duke marrë përgjegjësitë e saj bashkëpunon ngushtë me Agjencinë e Kufirit dhe Rojës Bregdetare Evropiane për menaxhimin e kufirit të jashtëm të BE, të prekur nga fenomeni i refugjatëve dhe emigrantëve që vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme”, u shpreh presidenti Meta.
Duke folur për bashkëpunimin me IOM-in, Meta tha se Shqipëria ka gjetur gjithmonë një partner të besueshëm dhe mbështetës për të përballur këtë fenomen, në cilëndo formë është shfaqur ai.
“Strategjia Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit është një tjetër produkt konkret i bashkëpunimit efikas ndërmjet Shqipërisë dhe IOM-it. Dua të vlerësoj gjithashtu punën e përbashkët për të nxjerrë në pah anët pozitive të migracionit nëpërmjet angazhimit të diasporës shqiptare, si agjentë të nxitjes së investimeve serioze të huaja në Shqipëri. Emigracioni është prej vitesh një element tejet i rëndësishëm në ekonominë, në raport me remitancat që u vijnë në ndihmë familjeve shqiptare dhe të gjithë vendit”, tha Meta.
Ndërsa drejtoresha rajonale e IOM-it për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Argentina Szabados, në fjalën e saj u shpreh se migrimi dhe përgjigjja ndaj tij ka të bëjë me të drejtat e njeriut, me të drejtat e fëmijëve, me administrimin e kufijve, me kostot financiare, kohezionin shoqëror dhe sovranitetin.
“Ne nuk duhet ta lejojmë veten që të dobësohemi nga lëvizshmëria njerëzore. Përkundrazi ne duhet të fuqizohemi për të krijuar dhe mundësuar një migrim më njerëzor, një mekanizëm më me dinjitet e të sigurt për të qeverisur migrimin”, u shpreh Szabados.
Në aktivitetin që shënonte edhe 25 vjetorin e aktiviteteve të IOM-it në Shqipëri, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.