Admir Fazlagikj
07 Janar 2018•Përditësim: 08 Janar 2018
SHKUP (АА) – Besimtarët e krishterë ortodoks në Maqedoni sot shënojnë festën e Krishtlindjeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në të gjithë tempujt e Kishës Ortodokse të Maqedonisë sot në mëngjes u mbajtën liturgjitë e Krishtlindjeve, ndërsa shënimi qendror është në kishën kryesore “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, ku kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z Stefan, mbajti liturgji.
Me rastin e Krishtlindjeve, kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z Stefan, së bashku me Sinodin e Shenjtë të Ipeshkvisë së Kishës Ortodokse të Maqedonisë-Kryepeshkopata e Ohrit përcollën mesazhin e Krishtlindjeve, duke dëshiruar paqe dhe mirëqenie nga Zoti për të gjithë.
Krahas besimtarëve të shumtë, në liturgjinë në Shkup mori pjesë edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili pas liturgjisë së mbajtur në një deklaratë për mediat uroi festën e Krishtlindjeve.
“Gjithçka që dëshiroj për vete dhe për familjen time e dëshiroj për të gjithë. Shumë shëndet, gëzim dhe suksese. Siç jemi të bashkuar, solidar dhe unik për festat, të jemi të atillë edhe gjatë tërë vitit, por më së shumti ta duam, ruajmë dhe respektojmë Republikën e Maqedonisë”, porositi Ivanov.
Me rastin e Krishtlindjeve ortodokse, urime dërguan edhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, si dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Besimtarët e krishterë ortodoks kanë kremtuar Krishtlindjet edhe në Kosovë. Në Manastirin e Graçanicës është mbajtur liturgjia për festën e Krishtlindjeve të komunitetit ortodoks në Kosovë. Liturgjia është drejtuar nga Peshkopi serb i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije. Ndërkohë në Shqipëri besimtarët ortodoks të pakicës malazeze kanë kremtuar Krishtlindjet ortodokse në kishën e Vrakës në Shkodër.