Ekip
07 Janar 2018•Përditësim: 07 Janar 2018
SHKUP (AA) – Të krishterët ortodoksë në vendet e rajonit sot kremtojnë festën e Krishtlindjeve, ku kanë mbajtur liturgji, raporton Anadolu Agency (AA).
Prijësi i Kishës Ortodokse të Serbisë, patriarku Irinej, shërbeu liturgjinë e mëngjesit të Krishtlindjeve në Tempullin e Shën Sava në Beograd, ku morën pjesë qindra besimtarë ortodoksë.
Besimtarët ortodoksë në Bosnjë e Hercegovinë, festën e Krishtlindjeve e pritën me liturgjitë e shenjta nëpër kishat e mbarë vendit, ndërsa liturgjia qendrore u mbajt në Kishën kryesore në Sarajevë, nga ana e mitropolitit Hrizostom.
Në Mal të Zi, në kryeqytetin Podgoricë, si dhe në shumë qytete malazeze u mbajtën liturgji. Në tempullin “Ringjallja e Krishtit” mitropoliti Amfilohie mbajti liturgjinë.
Po ashtu edhe në Zagreb besimtarët u mblodhën për të shënuar festën e Krishtlindjeve. Në tempullin “Shpërfytyrimi i Zotit” u mbajt liturgjia të cilën e kryesoi mitropoliti i Zagrebit dhe Lubjanës, Porfiri Periq.
Ndryshe, besimtarët ortodoksë sot shënojnë festën e lindjes së Jezu Krishtit, të cilën e festojnë sipas Kalendarit Julian.