Admir Fazlagikj
07 Dhjetor 2016•Përditësim: 08 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të anëtarëve të Këshillave zgjedhore të cilët të dielën do të zbatojnë votimin në përfaqësitë diplomatike – konsullore dhe zyrat konsullore të Republikës së Maqedonisë po zhvillohet normalisht, informon Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), transmeton Anadolu Agency (AA).
Votimi nisi në ora 7 dhe do të zgjasë deri në ora 19, ndërsa duhet të votojnë 325 anëtarë të Këshillave zgjedhor në përfaqësitë diplomatike – konsullore dhe zyrat konsullore.
Në Listën Zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor janë regjistruar 1.784.416 shtetas të moshës madhore të Republikës së Maqedonisë.
Në Maqedoni do të votojnë 1.531.368 qytetarë, në Listën e veçantë Zjedhore janë regjistruar 230.122 persona të cilët në pajtim me evidencën e organit kompetent konsiderohen se janë në punë të përkohshme jashtë vendit, ndërsa për votimin në diasporë KSHZ-ja pranoi paraqitjet e 20.573 qytetarëve.
Të drejtën e votës jashtë vendit shtetasit e Republikës së Maqedonisë do të mund ta realizojnë në 46 përfaqësi diplomatike – konsullore dhe zyre konsullore. Më së shumti të paraqitur për votim ka në Bern 4.256, në Venecia 2724, në Detroit 1170, në New York 1168, Melburn 1112…
Për këto zgjedhje për votimin në Bern janë hapur tre vendvotime shtesë, ndërsa në Venecia dy. Më pak të paraqitur ka Madridi – 10, në Pekin 13 dhe në Varshavë 14 votues.
Votuesit në diasporë votojnë një ditë para zgjedhjeve gjegjësisht të shtunën më 10 dhjetor nga ora 7 deri në ora 19 sipas kohës lokale. Të shtunën, po ashtu, duhet të votojnë edhe 13 persona të shpërngulur të brendshëm, 2.015 persona të cilët janë në paraburgim ose në burg dhe persona të sëmurë apo të pafuqishëm që janë paraqitur për votim.