Abdula Berisha
24 Gusht 2023•Përditësim: 25 Gusht 2023
Ambasada e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut dhe Shoqata e Ukrainasve "Lesja Ukrainka" shënuan Ditën e Pavarësisë së Ukrainës me një marshim simbolik në Shkup, raporton Anadolu.
Marshi filloi nga monumenti “Taras Shevchenko” në parkun “Luftëtarja” deri te “Rruga e Ukrainës” në qendër të Shkupit, në të cilin përveç dhjetëra ukrainasve morën pjesë edhe ambasadorë dhe përfaqësues të disa vendeve perëndimore.
Në fjalën e saj, ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Larysa Dir, tha se ukrainasit për të dytën herë radhazi po e shënojnë Ditën e Pavarësisë në kushtet e agresionit të ashpër rus.
Ajo tha se që nga fillimi i agresionit ushtarak shteti agresor ka vrarë mijëra ukrainas, duke shtuar se "e keqja ruse kërcënon edhe vendet e tjera evropiane".
Ambasadorja ukrainase falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen nga vendet perëndimore, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ishte përkrah Ukrainës që në ditët e para të agresionit.
"Dua të theksoj se Ukraina dhe ukrainasit paguajnë një çmim shumë të lartë, jetën. Prandaj, çdo vendim në lidhje me ndihmën ndaj ukrainasve është i një rëndësie jetike për ne. Kjo na mundëson të mbijetojmë, të luftojmë, të mbrohemi", tha ambasadorja.
Duke kujtuar se Ukraina feston 32 vjetorin e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, presidenti i shoqatës "Lesja Ukrainka", Alexandr Urbanovitch, falënderoi të gjithë vullnetarët dhe mbrojtësit që "afrojnë fitoren e Ukrainës".
"Tashmë dy vjet ne jemi duke luftuar për pavarësinë tonë pas pushtimit rus. Me këtë ne po mbrojmë jo vetëm pavarësinë tonë, por edhe pavarësinë e gjithë botës, sepse pamë se me çfarë bishe u përballëm si ukrainasë", tha Urbanovitch.
Fjalim mbajti edhe kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, i cili tha se populli maqedonas do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe popullin ukrainas.