Agim Sulaj
24 Gusht 2023•Përditësim: 24 Gusht 2023
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ka organizuar pritje zyrtare me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës në të cilën ishin të pranishëm gazetarët ukrainas të cilët po qëndrojnë në Kosovë dhe familjarët e tyre, raporton Anadolu.
Kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla në fjalën e saj tha se kur bëhet fjalë për agresionin, Kosova e di se si është të jesh në shënjestër të një fqinji agresor.
Gërvalla tha se edhe asaj në moshën tetëvjeçare, bashkë me nënën dhe dy vëllezërit e saj, iu imponua që ta lëshonte Kosovën dhe gjithçka që kishin, për t’u bërë refugjatë.
"Kosova qëndron me Ukrainën e re, Kosova nuk dëshiron vetëm t’ju mbroj juve, por dëshiron t’ju shoh të festoni fitoren. Kosova do t’ju mbështesë juve në çdo hap të rrugës me të gjitha mundësitë e saj”, theksoi Gërvalla.
Drejtori menagjerial i Qendrës Evropiane për Shtyp dhe Liri të Medias, Lutz Kinkel, tha se është e mahnitshme se si Qeveria e Kosovës po angazhohet për projektin “Journalists in Residence – Kosovo”, përmes të cilit gazetarët ukrainas po qëndrojnë në Kosovë.
Lutz tha se Qeveria e Kosovës është ndër vendet e vetme që po e financon direkt këtë program.
“Jemi shumë krenar të kemi mundësi të mbështesim gazetarët ukrainas sepse e dimë në çfarë vështirësie po kalojnë dhe atyre u duhet që të raportojnë për një zonë lufte dhe këto informacione që ata i plasojnë janë shumë me rëndësi për audiencën”, theksoi Lutz.
Gazetarja ukrainase Liudmyla Mekhin tha se programi me të cilin ata erdhën në Kosovë është më i miri në Evropë për punonjësit e medias që punojnë nga distanca dhe mbajnë kontakte me mediat ukrainase.
“Ne gazetarët ukrainas ju jemi sinqerisht mirënjohës për mbështetjen tuaj të sinqertë, mirëkuptimin dhe gjithë ndihmën ndaj secilit prej nesh pjesëmarrësve në programin Kosovar ‘Journalists in Residence’”, theksoi Mekhin.
Gazetarët ukranias, shumica e të cilëve janë gra, filluan të vijnë në Kosovë që nga fillimi i agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës nëshkurt të vitit 2022.