Nilay Kar
03 Mars 2019•Përditësim: 04 Mars 2019
Qeveria e Afganistanit i dhuroi një milion dollarë Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, takoi të dielën në Stamboll ambasadorët e Palestinës në vendet evropiane me ç‘rast tha se nevojiten përpjekje shtesë nga shkaku se Palestina po kalon nëpër një periudhë shumë të vështirë.
Ambasadori i Afganistanit, Abdul Rahim Sayed Jan, me këtë rast i dorëzoi komisionerit të UNRWA-së, Pierre Krähenbühl ndihmën e lartpërmendur.
Duke përshëndetur donacionin e bërë nga Afganistani, shefi i diplomacisë turke, Çavuşoğlu, tha se populli afgan i ballafaquar me problemet që ka, arriti të dëshmojë një shembull të bukur të vëllazërisë dhe solidaritetit.
Ai shtoi më tej se UNRWA-së nuk i janë zgjidhur problemet për çka njoftoi vazhdimin e ndihmës nga Turqia.
"Problemet dhe sfidat nuk janë pakësuar, por janë rritur. Paralelisht me sulmet e vazhdueshme izraelite mbi të drejtat historike dhe legjitime të palestinezëve, ka edhe aktorë të tjerë që me veprimet e njëanshme përpiqen të destabilizojnë më tej rajonin. Republika e Turqisë do të jetë gjithmonë në mbrojtje të çështjes palestineze në skenën ndërkombëtare", theksoi ministri Çavuşoğlu.
UNRWA përballet me një krizë financiare, si pasojë e tërheqjes së ndihmave amerikane me vendim të presidentit amerikan, Donald Trump, në gusht të vitit të kaluar.