Lejla Biogradlija
28 shkurt 2025•Përditësim: 01 mars 2025
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Maqedonase pranë Fakulteti të Gjuhës, Historisë dhe Gjeografisë i Universitetit të Ankarasë (AÜ), organizoi në Ankara konferencën me titull "Marrëdhëniet turko-maqedonase", raporton Anadolu.
Fjalimet hyrëse të konferencës që u mbajt në sallën 100-vjetori i AÜ-së i bëri rektori i universitetit prof. dr. Necdet Ünüvar si dhe kryetarja e departamentit prof. dr. Melahat Pars.
Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov mori pjesë si folës në konferencë.
Ünüvar, në fjalën e tij tha se osmanët ndërtuan shumë vepra në Maqedoninë e Veriut. "Maqedonia e Veriut fitoi pavarësinë e saj në vitin 1991. Ne gjithmonë i shohim gjurmët e unitetit tonë historik. Si Türkiye, ne vazhdojmë të mbrojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe të realizojmë vizita të ndërsjella", tha ai.
Duke theksuar se i kushtojnë rëndësi gjuhës dhe letërsisë maqedonase në fushën e arsimit, ai tha se edhe shumë studentë nga Maqedonia e Veriut studiojnë në AÜ.
Pars nga ana e saj tha se gjuha dhe letërsia maqedonase, si një degë e re e shkencës, shërben si urë lidhëse midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut dhe se po përpiqen të përcjellin pasurinë dhe kulturën e përbashkët të dy kulturave.
- "Türkiye është në një pozicion kyç në zgjidhjen e krizave globale"
Folësi kryesor i konferencës, Ivanov tha se Perandoria Osmane la gjurmë të thella në Ballkan. "Perandoria Osmane la trashëgimi të pasur në Maqedoninë e Veriut që mund të shihet edhe sot. Maqedonia e Veriut ishte një vend që priti kultura të ndryshme në atë kohë dhe kjo vazhdon edhe sot", u shpreh ai.
Duke rikujtuar se Evliya Çelebiu-n në veprën e tij "Seyahatname" e ka përfshirë Maqedoninë e Veriut, Ivanov tha se ka shumë detaje për jetën e përditshme të shoqërisë maqedonase.
Ivanov tha se në gjuhët ballkanike janë ruajtur shumë fjalë turqisht. "Në maqedonisht janë ruajtur 6 mijë fjalë turke dhe 3 mijë prej tyre ende përdoren", u shpreh ish-presidenti maqedonas.
Duke theksuar se investimet turke kanë siguruar punësime për mbi 10 mijë persona në Maqedoninë e Veriut, Ivanov potencoi se Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Instituti Yunus Emre (YEE) dhe Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) kanë ndërmarrë projekte të rëndësishme në vend.
"Türkiye gjithmonë ka mbështetur proceset e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s të Maqedonisë së Veriut. Türkiye, si fuqi rajonale luan rol të rëndësishëm në zhvillimet politike. Ajo është në një pozicion kyç në zgjidhjen e krizave globale", shtoi Ivanov.
Konferenca u mbajt në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë së Ankarasë (ATO), Fondacionin Ballkanik dhe Shoqatën e Kulturës dhe Solidaritetit të Rumelisë në Ankara.